e martë, 1 shtator 2009

DILEMA - Flete nga ditari i E.N

VLORЁ “Rich caffe”

Endur mes njerёzve qё urrej dhe atyre qё dua. E fshehur mes ndjenjash, e fshehur mes heshtjes pёr tё bёrё atё qё dua apo atё qё duhet. Asnjёherё nuk kam ditur, edhe pse krenare jam me padijeninё time pёr tё mos pranuar mashtrimin dhe pёr tё pёrjetuar ndjenja. Do doja tё isha, ndoshta, megjithёse nё shkallёt e jetёs vazhdoj tё ngjitem dhe i them vetes se jam ajo qё duhet tё jem, me gabimet e mia, me shkeljet, pёrbuzjet, triumfet dhe gjithçka qё kjo jetё mё ka “dhuruar” apo qё asaj i kam “vjedhur”, me apo pa dashjen e tё tjerёve.

Jam e heshtur dhe e kёnaqur nё atё qetёsinё qё heshtja tё jep e ndonjёherё e mbёrthyer fort prej saj…

Nё kёtё qytet ku tё gjithё tё shohin si nga njё tjetёr planet, mё kujtohet dikush qё tha: “Dua tё shoh njё UFO”. Besoj se do t’ia kisha plotёsuar dёshirёn, nёse nuk do tё ishte e njohura ime. Sepse ndihem e tillё. Kёtu ku vёshtrimet shpalosen drejt teje si njё e njohur – e panjohur. Njё objekt qё lёviz rrugёs (sepse e tillё je), dhe qё u bёn shumё pёrshtypje shoferёve tё automjeteve (ku triumfon heshturazi krenaria mashkulllore)…

Ndoshta ngatёrrimi i ndjenjave dhe mendimeve ёshtё edhe ajo çka e bёn tё plotё njeriun. Them ndoshta sepse ndonjёherё vetja mё duket gjysmё dhe “ngatёrrimi” ngjan thjesht si njё justifikim qё i jap vetes pёr zhgёnjimet e mia. Ndoshta, sepse njeriu pёrkujton mё tepёr dhimbjen se çastet e lumtura nё jetё. Kёto ditё kam folur vetёm pёr dashuritё e dёshtuara, pa ditur t’i jap njё emёr çasteve tё bukura qё kam kaluar dhe ndjenjave qё kurrё nuk kanё marrё fund dhe qё shpesh ma verbojnё arsyen mё keq se njё adoleshente (apo edhe unё jam e tillё?)

Tё jem rritur vallё? Ende s’e di. Nё hapat qё hedh, dhe qё mё kanё thёnё se i kam tё vegjёl, ndiej po tё njёjtёn frymё si dikur… apo ndoshta mendja mё gёnjen qё unё ta vazhdoj ta besoj njё gjё tё tillё? Dyshimet janё bazё e jetёs sime. Bazё pёr tё ecur dhe pёr tё pasur pёrjetime nga mё tё fortat, pa ditur t’i jap shpjegim gjithё mёnyrёs sime tё tё vepruarit. Ende s’e kam kuptuar dallimin mes tё qenit fёmijё dhe tё qenёt e rritur. Ndoshta pёr faktin se rritjen s’kam ditur ta pranoj kurrё, pёrveçse atёherё kur mё kanё thёnё se duhet tё tregohem e tillё. Apo atёherё kur kam menduar pёr tё ardhmen dhe i kam thёnё vetes se duhet tё pёrpiqem ta ndryshoj atё qё mё pret (sa tё paditur qё jemi ne njerёzit. E si mund ta ndryshojmё atё qё nuk e dimё se s’i do jetё? Kam parё njerёz qё kanё luftuar shumё e megjithatё janё zhgёnjyer duke mos arritur askund e tё tjerё qё s’janё pёrpjekur aspak, por kanё arritur gjithçka, sepse nё njё iks moment tё caktuar tё kёsaj tё “ardhmeje” tё paditur, dikush veproi nё njё lloj mёnyre fatsjellёse pёr ta). E pra, unё rritem duke menduar pёr kёtё tё ardhme apo kur duhet tё kёshilloj tё tjerёt. Sepse jam njё kёshilluese e mirё, me njё ndikim tek njerёzit (jam tmerruar kur kam mёsuar se sa ndikim kemi tek tё tjerёt. Madje, aq shumё sa tё mund tё ndryshojmё rrjedhёn e jetёve tё tyre. Dhe, e çuditshmja ёshtё se nё momentin qё i japim ato kёshilla, jemi tё bindur pёr atё qё themi, ndёrsa mё pas, tek shohim qё po veprohet sipas tyre, nisim dhe pyesim veten nёse ajo qё kemi thёnё, ka qenё pikёrisht ajo qё duhej apo duhej thёnё diçka tjetёr, e pikёrisht pёr shkak tё asaj tё ardhmeje qё ne nuk e dimё dhe qё “ndoshta” me ato kapriçot e veta, mund tё rezultojё qё ta bёjё kёshillёn tonё njё kёshillё tё dёshtuar). Apo ndoshta s’duhet tё jem kaq pesimiste?

I kam vjedhur motrёs sime njё shprehje qё mё shoqёron gjatё gjithё jetёs: Jam realiste, dhe jo pesimiste. Por nё fakt, ndёrsa vijoj tё eci, pyes veten se cc’ёshtё ky realizmi qё aq shumё i peshoj dhe qё e mbaj si shoqёrues tё jetёs sime. Sepse nёse ёshtё qё unё t’i shijoj gjёrat thatё, pa asnjёfarё ndjenje, atёherё mund tё rezultojё qё ky realizmi im i hirtё, tё jetё njё pesimizёm i thekur. Dhe nёse e mbush plot ngjyra, mund tё jetё njё optimizёm i tepruar.

Atёherё, kush ёshtё ai qё duhet tё mё tregojё se ku mbyllet pesimizmi, ndalet optimizmi dhe ku ёshtё realizmi nё gjithё atё shprehje timen shoqёruese? Sepse, unё them qё jam e zgjuar… dhe nuk pranoj tё mё thotё njeri qё nuk jam e tillё (largojmё shakatё qё kёtu) dhe nё gjithё kёtё mençuri timen unё kam tё pёrfshira tё gjitha budallallёqet e mia, dёshtimet, zhgёnjimet dhe gjithçka mund tё pёrjetojё njeriu nё jetё. Atёherё, pse t’i them vetes qё jam e zgjuar? Pёrse nuk e pranoj qё jam njё njeri “mёkatar” qё kam shumё boshllёqe, qё jam e paditur dhe qё gjithçka nё tё cilёn shpresoj ёshtё njё varg triumfesh e zhgёnjimesh pa fund, ku unё vazhdoj tё shpresoj qё nё mbi 100 vendime qё marr nё ditё (sepse vendim ёshtё edhe tё çohesh nga shtrati nё mёngjes, tё lash dhёmbёt, tё hash bukё, tё marrёsh autobusin apo tё ecёsh nё kёmbё, ta marrёsh apo jo çakmakun apo tё blesh cigare), shumica tё jenё ato qё nё vazhdёn e njё jete tё qetё pёrputhen me rrotullimin e botёs dhe qё nё kёtё rrotullim nuk pёrkojnё nё ngecje, por nё vijimёsi. Atёherё po, do tё ishte shumё gjё e bukur qё ti t’i thoshe vetes: unё eci dhe nё udhёtimin tim jam nё harmoni me rrotullimin e gjёrave nё kёtё botё. Por zgjuarsia?

Zgjuarsia vazhdon tё mbetet nga ato gjёra relative tё cilave unё ende u mbetem pa pёrgjigje teksa qёndroj kёtu, ulur, nё pritje dhe duke shpenzuar kohёn nё njё harresё, tё cilёn shpresoj qё do mё japё kohё pёr njё tjetёr pёrshpirtje, pёr njё tjetёr ditё ku dallimi mes pesimizmit dhe optimizmit dhe ajo qё qёndron mes tyre e qё duhet tё jetё realitet, tё jetё sa mё pak i hidhur pёr ditёn dhe sa mё i shijshёm pёr tё ecur sёrish nё rrugёt e shtruara e tё pashtruara…

Endur dhe ndalur. Ndoshta nё kёtё pikё do tё mё duhet qё tё vijoj tё mbetem…

Maj 2009

Nuk ka komente:

Posto një koment