e martë, 8 shtator 2009

Monika - Publikuar nga Sokrat T - 10 shtator

http://www.ditaripublik.blogspot.com/

Monikën nuk e kisha takuar qe prej një jave, sepse kishte qënë në plazh. I pata fishkëllyer disa herë rresht tek dritarja, duke drithëruar nën luzmën e të gjitha ndjenjave që lindin para shpresave të rreme. Nuk më pat shkruar asnjë letër, nuk më pat dërguar asnjë kartolinë, nuk më pat bërë asnjë telefon. Dukej qartë se, për të, koha rridhte ndryshe. Këmbët më çuan tek vila e saj, ndalova atje ku e prisja gjatë vjeshtës, fishkëlleva melodinë që i pëlqente më shumë, atë të përvuajturën e një të ograisuri nga malli. Në të vërtetë, nuk shpresoja ta gjeja. Mbrëmjet ishin të bardha e të kthjellta, dhe ajo mbase qe pleksur atje në plazh me ndonjë tjetër, dhe tani shëtiste me të, pinin cigare e whisky në ndonjë klub nate, ose vallzonin gjysmëlakuriq në ndonjë dhomë luksoze, nga ato ku rehatia ia shkrin femrës prangat e ndërgjegjes dhe e bën të jepet pa shumë kokëçarje. Këto gjëra unë edhe ia uroja njëfarësoj me vete, sepse ndihesha i topitur dhe shpirtërisht beqar nga fikja e dashurisë për të.


Mirpo e gjeta në shtëpi.

Sapo ishin kthyer nga plazhi, sapo kishin futur brenda çadrën, rrobat, tenxheret, pjatat, kurmet e bronxuar, dhe unë i fishkëlleva, duke u bindur sërish se gjërat mund të vakeshin, por jo edhe të vdisnin krejt, dhe ajo u ngatërrua atje në dritare me perden prej tyli, më njohu; ia dëgjova hapat, si rrahje zemre, tek rendte zbathur nëpër shkallë. Megjithëse gjatë shëtitjes më pat hipur një epsh prej demi dhe pata përdhunuar shumë bukuroshe me mend, kur u gjendëm përballë njëri-tjetrit, të ndarë nga kangjellat e leskruara, të mbuluar me dritëhijet blu e të florinjta të hënës, u ndjeva më pak mashkull se zakonisht, thua se ndonjë këngë kulufësh më thartoi gjakun. Ndjeva një si zbutje brenda vetes, njëfarë mallëngjimi të vjetëruar, njëfarë jargavitjeje. Kalonin kohë pa bërë dashuri, dhe kur gjendeshe pranë mishit të dashur, të merrte e qara.

Ajo kapi flokët me duar, sikur ngutej të frenonte flatrimin e truve, dhe briti me zë të ulët: "Hidhu!" Pa u ngulur mirë pika çuditëse, i kisha kapërcyer kangjellat, dhe e kisha vënë poshtë. Fjalët i linim gjithmonë për në fund. Të them të drejtën, truri më braktisi. Mbante veshur vetëm një fustan plazhi të bardhë, krahët jashtë, kofshët jashtë, çokollatë nga deti, e lehtë dhe me një aromë jodi, do t'ia kish ngrehur edhe një të vdekuri. Por isha gjallë, u rrokullisëm mes barit të lartë, pikërisht nën dritaren e saj. Dritën e kishte fikur. Perdja prej tyli dilte mbi parmak, mufatej, valvitej, e ndritur zbehtë nga abazhuri me ujë e gjethe shumëngjyrëshe i një dhome fqinjë.

Nuk më kujtohet asgjë përveç mishit të ngrohtë të Monikës, shijes së kripës, me të cilën rrekesha t'u hidhja nga pak kripë ngjarjeve të rëndomta të asaj jave; nuk më kujtohet kurrgjë përveç etjes për të mos m'u dukur vetja si në ndonjë film qaraman, dhe kopsave të këmishës sime, që kërcyen njëra pas tjetrës përpjetë si nga lemza. Bëmë tri herë rresht dashuri, pa pushim, pa fjalë, dhe asnjëri nuk po e gjente dot atë velje që vjen gjithnjë pas teprimit në mjaltë, ose atë ndjenjë kotësie, që të bën ta pandehësh seksin pastrim oxhaku.
Ishin çastet kur qielli bëhet lëng, kur përmasat e botës bëhen më kuptuese, më njerëzore; dhe trungjet dhe era e shndrrojnë pejsazhin në njëfarë errësire të freskët, këndshëm alarmante, plot gjethe e zogj të shushatur nate, e kur lindesh e nuk lindesh dot nga lëngu i nxehtë i buzëve, nga aroma e kurmit të dashur, që vdes bukur në krahët e tu, nga vezullimi mrekullues i flokëve dhe i lëkurës.

Kur mbaruam, siç ishim të kapërthyer, bëmë edhe disa rrotullime mbi bar, duke qeshur e duke shkëmbyer ato puthjet që vulosin fundin e harmonisë dhe fillin e gënjeshtrave të vockëla, pastaj se si u gjendëm njëqind vjet më parë, te rrugëza që ndante banesën e re nga e hershmja, pranë luleve - dhe unë, - që e kam mëse të nevojshëm humorin pas dashurisë, - hapa krahët anash, mbi tokë, me Monikën nën vete, dhe nisa t'ia thithja flokët me buzë, qafën, supet ngjyrë çokollatë.

Pastaj filluam të lodronim me ca si gudulisje, me ca shpulla të lehta, me ndonjë kafshim pa të keq; këpusnim bar dhe ia futnim njëri-tjetrit në veshë, në mbathje, në çorape; unë, për një çast, desha ta gudulisja te seksi, me qëllim që ta mposhtja; ajo m'i kapi duart, m'i shtrëngoi me tërë forcën e saj, duke qeshur e duke marrë frymë me zor; atëhere unë u bëra si kufomë, rëndova i tëri mbi të, lëvara kokën, ndala frymën - dhe kur ajo po tmerrohej me gjithë mend, - se nuk ishin të paktë ata që vdisnin ato kohë "në krye të detyrës", - për t'ia hequr tmerrin, rrëshqita pak përpara, hapa gojën, e hapa që njëra nga lulet e tufave buzë rrugëzës të më hynte në gojë sa më lirshëm, mbylla buzët,

e gëlltita atë lule të mallkuar, që më rrënoi!

Në fakt, kur e kisha ende në qiellzë, falë petaleve të buta, të freskëta e të lëmuara, m'u duk sikur po gëlltisja gjuhën e Monikës, dhe nuk u nguta ta ndërprisja shakanë. Vetëtimthi ndjeva shijen e gjelbër të kërcellit që u këput nga dhëmbët, po, dhe kur Monika nisi të qeshte e të më guduliste me ca gjeste qortues, prej llastice, unë u nxiva në fytyrë, më ngordhi buzëqeshja, sepse nga frymëmarrja e ndalur gjatë, tashmë e ngutur, ajo lule më rrëshqiti poshtë, duke u rënduar në çdo centimetër të laringut, duke u shndrruar në njëfarë guriçke, guri a plumbi sa më shumë përparonte drejt stomakut. E them me bindje të plotë dhe pa asnjë teprim: më ra në stomak si ndonjë vulë plumbi... "

Nuk ka komente:

Posto një koment